Discussion:
[AlbClub] Administrata, kundër shkollave private
Bashkim Kopliku--->Gmail Home
2008-09-24 05:15:03 UTC
Permalink
*** AlbClub Discussion List ***



Administrata, kundër shkollave private
[Gazeta Shqiptare, 24.9.2008]

Në organet e bazës të Ministrisë së Arsimit po fillon prapë të shfaqet
mendësia bolshevike: kundër "privates". Kontrolle tendencioze e kritika
ndaj shkollave private, ndërkohë që shtetëroret janë mos më keq. Edhe
konfuzionin e sivjetshëm të shitjes së librit, e hëngrën edhe më fort,
familjet me nxënës në shkollat private. Kjo sepse shteti që krijoi
konfuzionin, më konkretisht, drejtoritë e arsimit në rrethe, u ranë me top
shkollave private-e pra, nxënësit janë njësoj shqiptarë, si ata të
privateve, si dhe ata të shtetëroreve.


* * *

Për konfuzionin e madh në shitjen e librit shkollor, na ankuan shumë
prindër. I telefonuam një drejtuesi të arsimit në një rreth. "Drejtor, bën
mirë të organizosh një kontroll në rrjetin e librarive të qytetit, sepse ka
më se dy javë që ka një varg mangësish"-i thamë. "Po ka ankesa,
por..."-filloi të justifikohej. "P.sh. në librarinë që shet librat e
shkollës jopublike X, kishte..."-filluam të hyjmë në hollësi ne. "A jo, ne
merremi me shkollat tona, me publiket; privatët t'i zgjidhin vetë punët e
tyre"-na preu fjalën drejtori.

Natyrisht që shkollat private do t'i "zgjidhnin vetë" punët e tyre, nëse nuk
do të ishte ndërhyrja shkatërrimtare e vetë nëpunësve të ministrisë së
arsimit, në sistemin e tregut të lirë, me klientelizmat e tyre pafund.
Gjithsesi, shihet qartë qëndrimi selektiv "anti-privat" i këtyre nëpunësve
të arsimit.


* * *

Në kontrollet e kushteve të ambienteve të shkollave, na bie në sy që
shkollat publike trajtohen nga administrata e ministrisë, si "të vetat" në
sensin negativ ("ta fshehim realitetin, mos t'i kritikojmë, se i bie të
kritikojmë veten"), kurse shkollat private trajtohen, si "të atyre" ("të
huajve", bile dhe "armiqve", të cilëve u bëhet miza bull).

Administrata shtetërore duhet të respektojë shembullin pozitiv të shkollave
jopublike (private), duke u marrë seriozisht me gjendjen e shkollave publike
(shtetërore). Ka shkolla shtetërore që janë futur në kasolle lopësh, në
kuptimin e vërtetë të fjalës. Këto ditë pamë një të tillë, në televizionin
News 24: ato ambientet e mjerueshme të asaj shkollës "kasolle lope", mu në
mes të Shqipërisë, më pak se 40 km nga Tirana (në Miliskajë të Thumanës);
pamë ata nxënës që në moshën 15 vjeç mezi kishin bërë dy vjet shkollë. E
kjo, në Shqipërinë gjoja të "shkollave me laptope" (kompjuter), sipas asaj
që u premton shqiptarëve të gjorë, kryeministri ynë aktual.

Fatkeqësisht, mund të themi me siguri se shkollat tona shtetërore janë në
gjendje skandaloze. Ato janë problemi kryesor i arsimit-nuk janë problemi,
shkollat private. Mbi bazën e principeve të ndarjes së punës, duhet
përqendruar kryesisht në zgjidhjen e problemeve më të mëdha. Pra në rastin
që po trajtojmë, administrata shtetërore do të duhej të kritikonte "gjithë
ditën" shkollat shtetërore, duke mburrur ato privatet.


* * *

Edhe kritikat për cilësinë e mësimdhënies, për kurikulat e shkollave
private, janë të trukuara, pra me mashtrime.

Arma më efikase kundër mashtrimit shtetëror, është transparenca. Ministria
e Arsimit duhet të publikojë rezultatet e provimeve të maturës në të gjitha
shkollat, në sa më shumë gazeta, lokale dhe qendrore. Rezultatet duhet të
jepen me hollësi dhe të përpunuara nga ana statistikore (notat e marra,
numri i nxënësve, mesatarja e notës, përqindja e nxënësve me notën 10,
përqindja e nxënësve me notë jokaluese etj.). U bënë tre vjet që pak
botohen, e pak njihen këto rezultate-edhe kur botohen, jepen rrëmujë, që mos
të nxjerrësh dot konkluzione. E pra, opinioni publik duhet të orientohet
konkretisht për situatën.

Transparenca duhet jo vetëm për për të luftuar mashtrimin e mundshëm të
dikasterit, jo vetëm për të orientuar prindërit në zgjedhjen e shkollave,
por edhe për të bindur të gjithë shqiptarët, për superioritetin e privatit.
Në një vend si yni, ka akoma të ngulitura në mendjen e shumë njerëzve,
koncepte të etatizmit komunist: "kundër privates, pro shtetërores".


* * *

Kryeministri, kryetarët e bashkive, ministrat etj., bëjnë mirë së paku të
shfaqen edhe në inaugurimet e shkollave private, e jo vetëm në ato
shtetëroret: shkollat private janë po të shtetit tonë, bile mbase dhe më
"patriote" se ato shtetëroret.

Ministri i ri i arsimit, zoti Beja, duhet të ndjekë shembullin e mirë të
paraardhësit të tij, zotit Pollo, i cili dha një kontribut të madh në
pranimin, në afrimin e shkollës private me ministrinë "shtetërore" të
arsimit.

Privatja është e ardhmja për Shqipërinë: mos t'i kundërvihemi një tendence
natyrale, sepse krijojmë humbje e dëmtime të kota. Çdo vit po rritet numri
i nxënësve që frekuentojnë shkollat private-rritja e tyre po bëhet me hir,
apo me pahir.

Kudo në botën e përparuar, tashmë dihet se njeriu punon shumë më mirë tek
privati sesa tek shteti. Por kjo karakteristikë është shumë më e theksuar
tek ne shqiptarët. E prandaj privatët duhen ndihmuar e promovuar nga shteti
ynë, e jo të luftohen.


Bashkim Kopliku
22.9.2008



Phone: +355 52 223663
Mob: +355 682200590
E-mail: <***@gmail.com>
optional: <***@infinito.it>

Please, send important e-mails
on both addresses!

Loading...